Ky trajnim bazë është për studiues, aktivistë, specialistë të teknologjisë dhe këdo që do të mësojë më shumë rreth përdorimit të të dhënave personale në fushatat politike. Trajnimi trajton informacionin bazë mbi të dhënat personale dhe rëndësinë e tyre në ndikimin politik. Pavarësisht nivelit të ekspertizës, pjesëmarrësit do të angazhohen në diskutime dhe ushtrime që do t’i ndihmojnë të kuptojnë kompleksitetin e kategorive të ndryshme të të dhënave, me shembuj nga jeta reale të rëndësishëm për politikën aktuale. Ata do të ndajnë përvojat e tyre personale dhe profesionale, duke mundësuar kështu identifikimin e mënyrave të veçanta investigative.
Përmbledhje
Tema: Një hyrje rreth përdorimit të të dhënave për ndikim politik, duke përfshirë çfarë janë të dhënat personale, si marrin karakter politik dhe si përdoren për të shënjestruar me mesazhe politike votuesit.
Agjenda
- Hapja dhe prezantimi i lëndës (15 minuta)
- Çfarë janë të dhënat personale (45 minuta)
- Teknologjitë e bazuara në të dhëna dhe ndikimi politik (65 minuta)
- Ndikimi politik i targetuar (40 minuta)
- Diskutim dhe mbyllje (15 minuta)
Pjesëmarrës: Gazetarë, studiues, aktivistë, njohës të teknologjisë dhe të gjithë ata që sapo kanë filluar të hulumtojnë përdorimin e të dhënave personale në politikë.
Objektivat e seminarit:
- T’u ofrojë pjesëmarrësve nocionet bazë mbi çfarë janë të dhënat personale dhe si përdoren ato në fushatat politike.
- Të trajtojë llojet e të dhënave personale.
- Të shtjellojë mënyrat e ndryshme se si të dhënat personale mund të përdoren në fushatat politike.
- Të inkurajojë pjesëmarrësit të ndajnë përvojat e tyre duke filluar nga konteksti personal ose profesional për të shtjelluar këtë tematikë dhe për të identifikuar mënyrat se si mund të investigohet.
Udhëzues për trajnuesit:
- Ky trajnim është i ndarë në tri pjesë kryesore, me një hyrje dhe një mbyllje.
- Ndërmjet sesioneve, mund të shtoni një pushim të shkurtër ose një ushtrim që nxit aktivizim. këtu).
- Për trajnimin online, rekomandohet që gjatë ushtrimeve të përdoret një kronometër.
- Konsultoni këtë material për trajnuesit, ku përfshihet përgatitja e prezantimeve dhe zgjedhja e shembujve për diskutim. Sa herë që të jetë e mundur përshtatni këshillat, shembujt dhe rastet me kontekstin.
Mënyra e zhvillimit: Online ose me pjesëmarrje fizike
Kohëzgjatja e trajnimit (pa pushime): 3 orë
Numri i pjesëmarrësve: 6 – 24 pjesëmarrës
Trajnime të ndërlidhura: Ky trajnim mund të kombinohet me seminarin: Të kuptuarit e të dhënave politike si aset dhe inteligjencë
Artikuj dhe udhëzues të rëndësishëm:
- Hyrje në të dhënat personale dhe industria e influencës (ndikimit), Projekti: The Influence Industry, Tactical Tech.
- Çfarë është ndikimi politik, Projekti: The Influence Industry, Tactical Tech.
Shënim mbi përdorimin e mjeteve online për ushtrimet:
- Sigurohuni që mjetet online për konsultë, marrje shënimesh ose prezantime të jenë falas dhe funksionale për shumë përdorues njëkohësisht.
- Mos përdorni mjete që kërkojnë krijimin e një llogarie vetëm me një përdorim.
- Informoni pjesëmarrësit paraprakisht mbi mjetet online që do të përdoren gjatë sesionit dhe sugjeroni udhëzues ose tutoriale për t'u familjarizuar me to.
Aktivitete mësimore
1. Hapja (15 minuta)
Qëllimi i këtij sesioni: Prezantimi i organizatorëve dhe i pjesëmarrësve.
Hyrje në seminar
Lexim | Shikim | Dëgjim | 5 minuta
Këshilla:
- Mirëpritni pjesëmarrësit dhe prezantohuni.
- Prezantoni projektin dhe rëndësinë e këtij trajnimi.
- Shpjegoni objektivat dhe agjendën e seminarit.
- Vendosni së bashku me pjesëmarrësit rregullat bazë të trajnimit.
- Inkurajoni pjesëmarrësit të mbajnë shënime për temat që mund të dëshirojnë të zhvillojnë më tej dhe pyetjet që u lindin.
Prezantimi i pjesëmarrësve
(10 minuta)
-
Lejojini pjesëmarrësit të prezantohen duke iu përgjigjur dy pyetjeve:
- Si ju quajnë dhe me çfarë merreni?
- Ndani një informacion që mund të gjejmë për ju në internet?
2. Çfarë kuptojmë me të dhëna personale? (45 minuta)
Qëllimi: Të kuptohet dhe të përcaktohet domethënia e të dhënave personale.
Pajisje dhe mjete: Përdorni stickers (letër me ngjitës) për shënime, stilolapsa ose një tabelë digjitale.
Përgatitja:
-
Për ushtrimin "Reflektim individual":
- kërkoni nga pjesëmarrësit të përdorin e të shkruajnë përgjigjet e tyre në stickers (letër me ngjitëse).
- online, rekomandohet të përdoret një program falas për të mbledhur përgjigjet e pjesëmarrësve.
-
Për ushtrimin “Llojet e të dhënave personale":
- Kur pjesëmarrja është fizike, përgatitni paraprakisht disa hipoteza e supozime për të dhënat personale që do t’i ndani me pjesëmarrësit (një hipotezë për çdo sticker, shihni shembujt më poshtë). Përgatitni disa kopje të secilës ‘hipotezë’ për secilin grup, në varësi të madhësisë së grupit. Rekomandohet që në secilin grup të jenë 3-5 persona. Të gjitha grupet duhet të marrin të njëjtin informacion.
- Ndërsa online, krijoni një dokument ose një tabelë me deklaratat e supozimet, duke lënë një hapësirë të veçantë për secilin grup.
-
Burim Lexim i rekomanduar gjatë përgatitjes së prezantimit të këtij sesioni: Të dhënat: Nga personale në politike
Çfarë janë dhe si kuptohen të dhënat personale
Lexim | Shikim | Dëgjim | 15 minuta
Udhëzues:
- Kërkoni nga pjesëmarrësit të përcaktojnë se ku ndryshojnë “të dhënat personale” nga “të dhënat”. Jepuni një minutë kohë për të ndarë përgjigjet.
Përgatitni dhe bëni një prezantim të fokusuar si më poshtë.
-
• “Të dhëna personale janë të dhëna që mund të përdoren për të identifikuar ose riidentifikuar një individ, si dhe çdo burim të dhënash në shkallë të gjerë që përftohet nga sjellja dhe veprimet e individëve.” (Burimi: Udhëzuesi i industrisë së ndikimit).
-
"Të dhënat personale" mund të përdoren në disa situata:
- Të dhënat personale kanë një kuptim të gjerë, ku përfshihen të dhëna demografike, të dhënat mbi mendimet dhe sjelljen tuaj.
- Të dhënat personale mund të lidhen me emrin, kontaktin ose ID-në e një individi.
- Të dhënat personale gjithashtu mund t’i referohen statistikave të anonimizuara si trafiku i një faqeje interneti ose numri i pjesëmarrësve në një ushtrim.
-
Ky trajnim do të shqyrtojë se si partitë politike përdorin të dhënat personale, të mbledhura ose të ruajtura në mënyrë digjitale, në mënyrë që të fitojnë ose te ruajnë pushtetin politik përmes ushtrimit të ndikimit politik.
-
Kërkoni nga pjesëmarrësit, që për pak minuta të ndajnë çfarë dinë për mbledhjen e mundshme të të dhënave:
- Nga cilat burime mblidhet informacioni?
- Çfarë lloj informacioni mund të mblidhet?
- Kush e mbledh këtë informacion?
-
Si mblidhen të dhënat personale? Tri janë mënyrat kryesore:
- Të dhëna që krijoni vetë si p.sh. postimet që pëlqeni në rrjetet sociale, plotësimi i formularëve për tu regjistruar në një aktivitet, apo kur dërgoni një e-mail.
- Të dhëna që të tjerët krijojnë për ju si p.sh. fotot ku jeni përmendu e etiketuar ose kur jeni në listën e kontakteve apo miqve të dikujt tjetër.
- Të dhëna që merren për ju përmes analizës së afinitetit dhe lidhjeve mes të dhënave që krijoni vetë dhe të dhënave të krijuara për ju apo të dhënave të të tretëve të tilla si për kë mund të votoni bazuar në vendbanimin tuaj. Këto quhen gjithashtu të dhëna gjurmë apo hije.
-
Partitë politike mund të përdorin teknologji të bazuara në të dhëna për të optimizuar përmbajtjen dhe formën mesazheve të tyre.
-
Kandidatët politikë mund t’i shënjestrojnë individët drejtpërdrejt duke përdorur adresën e e-mailit dhe personalizuar përmbajtjen e mesazhit duke përdorur të dhënat personale të mbledhura për këta individë. Si për shembull detaje demografike ose komunikimet e mëparshme me ta në rrjetet sociale apo e-mail.
-
Praktika e mbledhjes së këtyre të dhënave ka ekzistuar edhe përpara internetit, duke përdorur ndër të tjerasondazhet publike ose fokus grupet.
-
Në një nivel të lartë të vendimmarrjes, këto të dhëna mblidhen dhe pastaj përdoren si themel për marrjen e vendimeve, prej nga rrjedhin terma si “marrja e vendimeve të bazuara në të dhëna”.
-
Mbyllja e këtij sesioni mund të bëhet duke theksuar se çdo pajisje e lidhur me internetin mbledh të dhëna – shumë më shumë të dhëna sesa mund ta imagjinojmë, të cilat mblidhen e ruhen vazhdimisht.
-
Këto të dhëna mund të jenë për personin që përdor pajisjen, për një tjetër person të përfshirë nga përdoruesi, ose për sjelljen e ritualet e vetë personit.
-
Të gjitha këto të dhëna mund të përdoren – dhe përdoren – nga grupet politike në përpjekjet e tyre për të marrë votën e më pas pushtetin politik.
Llojet e të dhënave personale
Punë në grup | 20 minuta
[10 minuta] Udhëzues + Punë në grup
-
Ndajini pjesëmarrësit në grupe të vogla nga 3-5 vetë.
-
Secili grup shqyrton një prej disa pohimeve për llojet e të dhënave personale.
-
Ndërsa online, krijoni një dokument ose tabelë të përbashkët me pohimet dhe një hapësirë të veçantë për secilin grup.
-
Shembuj të pohimeve:
- Çdo ditë Xhejn udhëton rreth 25 minuta.
- 11% e familjeve në Irlandë riciklojnë mbetjet.
- Davidit i pëlqen të dëgjojë muzikë klasike gjatë kohës së lirë.
- Katie jeton në rrugën Panama Way, Apartamenti 3D, Blue Haven.
- Xhinës, mësuese në një shkollë publike, nuk i pëlqen të lërë bakshish.
- • Nxënësit e klasës së pestë në shkollat më të mëdha janë të interesuar për aktivitete jashtëshkollore si karateja dhe vetëmbrojtja.
-
Kërkoni nga pjesëmarrësit që të shkruajnë në shënime dhe të lexojnë se si i kanë kategorizuar të dhënat duke u bazuar në llojin e të dhënave më sipër. Jepni shembuj që shpjegojnë nëse të dhënat përmbajnë identitetin e personave si më lart apo nëse të dhënat janë të anonimizuara.
[10 minuta] Diskutim
-
Diskutoni kategoritë e identifikuara nga grupet.
-
Cilat kategori ishin më të lehta për t'u identifikuar dhe pse? Për shembull nëse të gjithë grupet kanë kategori të tilla si ‘demografike’ apo ‘opinione’ pyetini nëse këto kategori janë më të lehta për t”u përcaktuar dhe përse?
-
Cilat përcaktime ishin më të vështira për t'u kategorizuar?
Llojet e të dhënave personale
Lexo | Shiko | Dëgjo | 10 minuta
Udhëzime për prezantim
-
Llojet e të dhënave personale të mbledhura për fushatat politike përfshijnë:
- Të dhëna për opinionin publik - Opinione të shprehura në rrjetet sociale, komente dhe diskutime.
- Të dhëna demografike – Moshë, gjini, vendndodhje, status martesor.
- Contact data – E-maile të mbledhura përmes regjistrimeve online.
- Të dhëna e sjelljes – Historia e kërkimit në internet, faqet e vizituara dhe kohëzgjatja e vizitave.
- Të dhëna të personalitetit – Profilizim psikometrik siç përdorej nga Cambridge Analytics.
- Të dhëna financiare – Informacion për blerjet online dhe transaksionet e bëra me kartë krediti.
Përgatitje Gjeni një shembull të përshtatshëm për llojet e të dhënave në kontekstin tuaj. Mund të shohësh disa shembuj që kemi përgatitur këtu.
-
Procesi i mbledhjes së të dhënave është shpesh i integruar në strukturën e platformave digjitale dhe pajisjeve të ndryshme, por i fshehur nga përdoruesi sepse këto të dhëna shpesh mblidhen pa pëlqimin e tij.
- Për shembull, e-maili që ndan kur regjistrohesh për buletin informatik, mund të jetë një e dhënë që shpërndahet dhe shitet pa dijeninë tënde nga mbledhësi.
- Po ashtu, edhe numri i klikimeve në një faqe interneti apo pëlqimet në një platformë të rrjeteve sociale janë shpesh të dhëna që mblidhen dhe ruhen për vite me radhë pa pëlqimin e përdoruesve.
-
Të dhënat personale mund të jenë krejt politike, si për shembull për kë kemi votuar më parë apo nëse kemi marrë pjesë në një protestë politike.
-
Të dhënat e tjera jo-politike, si blerjet apo vendndodhja jonë, mund të kthehen në politike. Këto të dhëna mund të përdoren për të përcaktuar informacionin politik, si për shembull vendin ku do të votojmë apo për kë mund të votojmë. Për shembull:
- Të dhënat e kontaktit përdoren për të vendosur një komunikim të drejtpërdrejtë midis individëve dhe grupeve politike.
- Të dhënat financiare mblidhen në mënyrë që një organizatë politike të mund të marrë dhurime sa më të mëdha.
- Të dhënat mbi sjelljen (zakonet e ritualet) mund të mblidhen për të kuptuar se për çfarë temash duan të flasin e të mësojnë njerëzit dhe kur.
-
Përfundoni duke theksuar që:
- Mbledhja e të dhënave ka ekzistuar përpara internetit.
- Teknologjitë digjitale kanë rritur shkallën e mbledhjes së të dhënave.
- Të dhënat personale përdoren për të ndikuar në vendimmarrjen politike.
3. Teknologjitë e bazuara në të dhëna dhe ndikimi politik (65 minuta)
Qëllimi: Të kuptohet historia e përdorimit të të dhënave personale në politikë.
Materialet: Shënimet me shembuj të të dhënave personale të përdorura në sesion e mësipërm “Llojet e të Dhënave Personale”.
PPërgatitja / Materialet:
-
Në këtë sesion, do të përdorni materialet dhe diskutimet e sesioneve 1 dhe 2. Referojuni shënimeve. Siç është theksuar më lart kërkohet edhe lexim shtesë:
Përcaktimi i ndikimit politik
Praktikë | 15 minuta
[3 minuta] Hyrje
Udhëzues:
Përgatitni një prezantim të shkurtër që trajton:
-
Si përkufizohet ‘ndikimi’? – Këtu flasim për mënyrën se si politikanët përdorin të dhënat personale për të ushtruar ndikim politik.
-
Ndikimi është aftësia për të ndikuar në mendimet, sjelljet dhe veprimet e të tjerëve.
-
Ndikimi është i ndryshëm nga:
- Informimi – i cili synon të ofrojë informacion pa ndikuar domosdoshmërisht në sjellje.
- Rregullimi – i cili synon të ndryshojë sjelljen përmes zbatimit të rregullave dhe jo përmes zgjedhjes.
-
Ndikimi është dhënia e informacionit me synimin për të ndikuar në sjelljen ose veprimet e një individi ose grupi.
[8 minuta] Ushtrimi spektrogram
Udhëzues:
-
Përgatitni një seri diapozitivash me deklaratat e mëposhtme:
- Një parti politike përdor informacion të saktë për politikat e saj për të bindur votuesin e lëkundur të mbështesë e votojë kandidatët e saj.
- Një fushatë për mjedisin inkurajon të interesuarit për ndryshimet e klimës e të mjedisit të fluturojnë më pak duke synuar ata individë të cilët në bazë të të dhënave udhëtojnë shpesh me avion.
- Një fushatë dezinformuese synon të dëmtojë besimin te një media lokale duke postuar lajme të rreme me logon e saj.
-
Krijoni një spektër fizik në sallë, nga një anë vendosni "kjo është mirë për demokracinë" dhe në anën tjetër "kjo dëmton demokracinë".
-
Nëse jeni online, përdorni një sondazh ku pjesëmarrësit mund të zgjedhin mes dy skajeve të spektrit.
-
Kërkoni që pjesëmarrësit të pozicionohen për secilin përcaktim përgjatë spektrit ose të votojnë në sondazh.
[4 minuta] Diskutim pas ushtrimit
-
Reflektoni si grup mbi zgjedhjet e bëra nga pjesëmarrësit.
-
Nëse ka kohë, kërkoni që pjesëmarrësit të sjellin shembuj të tjerë të ndikimit politik dhe përdorini edhe këta shembuj brenda spektrit ose sondazhit online.
-
Theksoni se mbledhja e të dhënave mund të përdoret edhe për kauza që do t’i kategorizonim si “kauza të mira” dhe jo vetëm për ndikimin politik ‘negativ’ e jo etik.
Ndikimi i mediave në formimin e opinionit e ndikimin politik
Prodhim | 20 minuta
[10 minuta] Ushtrim në grup: Si media ndikon në zgjedhjet që bëjnë njerëzit
Udhëzues:
-
Ndajini pjesëmarrësit në katër grupe.
-
Caktojini secilit grup një formë të mjeteve të komunikimit mediatik: TikTok, Gazetë, Radio dhe Facebook.
Përgatitje Mund të zgjidhni media të tjera më të përshtatshme për grupin tuaj.
-
Çdo grup duhet të identifikojë veçoritë e një fushate politike të suksesshme në median që po shqyrton. Për shembull:
- Nëse grupi ka zgjedhur radion: Sa kohë duhet të zgjasë një mesazh? Kush duhet ta lexojë, një burrë apo një grua? Çfarë toni duhet të përdoret: i relaksuar, bindës, me humor apo pasionant?
- Nëse grupi ka zgjedhur gazetat: Cilat gazeta do të ishin ideale për të ndarë mesazhe politike? Çfarë imazhesh duhet të përdorin? Në cilën faqe duhet të botohet reklama?
-
You can also encourage the participants to share an example of a successful political campaign conducted in the medium if possible.
[10 minuta] Diskutim pas ushtrimit
-
Çdo grup duhet të prezantojë (1-2 minuta) median që i është caktuar dhe të ndajë përfundimet me grupet e tjera.
-
Diskutoni dallimet mes qasjeve të grupeve.
-
Inkurajoni pjesëmarrësit të mendojnë se si ndryshon një fushatë në krahasim me ato të zhvilluara në media të tjera.
-
Përfundoni duke theksuar se grupet politike dhe kandidatët partiakë gjithmonë kanë përshtatur strategjitë e ndikimit sipas teknologjive të përdorura.
Si funksionin industria e ndikimit
Lexim | Shikim | Dëgjim | 10 minuta
Udhëzues:
Përgatitni një prezantim që përfshin:
-
Shikoni: Political Persuasion Trailer (në anglisht)
-
Fushatat politike përdorin strategji të ndryshme për të ndikuar në opinion e vendimmarrje.
-
Politikanët dhe strategët e fushatave angazhojnë ekspertë për të mbledhur dhe analizuar të dhënat.
-
Grupet politike bashkëpunojnë me komercialistë, reklamues dhe kompani të sektorit privat për të formuar imazhin e tyre.
-
Shumë kompani punojnë me një ose më shumë parti politike njëherësh. Disa prej kompanive punojnë në shumë vende të botës njëherësh.
Kush është pas mesazhit?
Diskutoni | 20 minuta
[10 minuta] Ushtrim: Diskutim për reklamat politike
Udhëzues:
-
Ftoni pjesëmarrësit të ndajnë një reklamë politike, duke vënë një link në chat (nëse janë online) ose duke projektuar në ekran (nëse jeni offline).
-
Pyesni pjesëmarrësit se cilët profesionistë mund të kenë qenë të angazhuar në krijimin e kësaj reklame (skenaristë, aktorë, dizajnerë, regjisorë, përkthyes, etj.).
-
Bëni pyetjet e mëposhtme për të moderuar diskutimin:
- Cilët janë ata që janë angazhuar në krijimin të kësaj reklame?
- Sa kohë mendoni se u desh për ta krijuar?
- Cilat janë vendimet më të rëndësishme që janë marrë (lloji i medias, gjatësia e reklamës, gjuha e përdorur, etj.)?
-
Përfundoni aktivitetin duke theksuar se teknologjitë e bazuara në të dhëna kanë krijuar një grup të ri profesionistësh të punësuar nga grupet politike për të menaxhuar komunikimin e tyre.
[10 minuta] Prezantim dhe diskutim
Udhëzues
-
Vazhdoni diskutimin e mëparshëm për të informuar pjesëmarrësit mbi profesionet e ndryshme që janë të përfshira në procesin e konvertimit të të dhënave personale në të dhëna politike. Për shembull:
- Profesionistët e përfshirë në këtë proces janë analistë të të dhënave, shkencëtarë të dhënash, dhe inxhinierë të dhënash, të cilët mbledhin, përpunojnë dhe analizojnë të dhënat.
- Ekspertë të veçantë sigurojnë pajtueshmërinë dhe respektimin e ligjeve të mbrojtjes së të dhënave, ndërsa analistët politikë interpretojnë të dhënat në kontekst politik.
- Specialistë të sigurisë së informacionit dhe ‘hakerët’ etikë mbrojnë të dhënat, dhe zhvilluesit e programeve software krijojnë mjetet e nevojshme.
- Ekspertët e komunikimit përkthejnë të dhënat komplekse dhe analistët e politikave vlerësojnë ndikimet dhe rekomandojnë ndryshime e përshtatje.
- Strategët e fushatave politike përdorin të dhënat për strategjitë zgjedhore, analistët e rrjeteve sociale monitorojnë bisedat online, studiuesit e tregut mbledhin preferencat politike dhe oficerët e privatësisë së të dhënave sigurojnë respektimin e ligjeve për privatësinë.
-
Theksoni se këta ekspertë nuk kanë vetëm rol teknik apo si kontrollues; ata kontribuojnë edhe në cilësinë e përmbajtjes, frekuencën dhe stilin e mesazheve që përçohen nëpërmjet këtyre kanaleve.
-
Jepuni pjesëmarrësve disa nga funksionet kryesore që këta profesionistë luajnë në procesin politik. Ja disa shembuj – por inkurajoni pjesëmarrësit të ndajnë edhe shembujt e tyre:
- Ata kontrollojnë dhe menaxhojnë përdorimin e teknologjive
- Ndërmjetësojnë mes zërit të qytetarëve dhe grupeve politike
- Ofronjnë strategji dhe drejtim për mënyrën e angazhimit me teknologjinë
-
Këto shërbime njihen shpesh si “industria e ndikimit” (influence industry), e cila, sipas Tactical Tech, përbëhet nga një rrjet firmash private që shesin shërbime të tyre (duke përfshirë mbledhjen, analizimin dhe tregtimin e të dhënave) për kandidatët apo partitë që synojnë të ndikojnë opinionin politik – veçanërisht gjatë, por jo të kufizuara vetëm në, fushatat zgjedhore.
4. Ndikimi politik i shënjestruar (40 minuta)
Qëllimi: Të shtjellohen mënyrat se si të dhënat përdoren për të shënjestruar grupe të caktuara.
Përgatitja / Materialet:
-
Përgatisni paraprakisht slidera me përkufizimet me të rëndësishme, shembuj dhe referenca të cilat do t’i ndani me pjesëmarrësit gjatë prezantimit.
-
• Gjatë këtij sesioni, do t’ju duhet të jepni shembuj se si përdoret teknologjia. Në udhëzuesin Të Dhënat si ndikim politik mund të gjeni disa shembuj për teknologjitë përkatëse.
-
Për ushtrimin “Analizë e të dhënave të vendqëndrimit", do t’ju nevojiten disa fletë me format A3 ose një tabelë qe do ta ndani online.
Ku mund të gjeni përmbajtje të përcaktuar për një kategori individësh
Lexo | Shiko | Dëgjo | 10 minuta
Udhëzues:
Përgatitni një prezantim që përfshin pikat e mëposhtme:
-
Kanale të ndryshme komunikimi përdoren për të vënë në shënjestër me reklama përdorues te caktuar, me një përmbajtje që synon t’i tërheqë menjëherë, sepse ajo bazohet në preferencat e tyre.
-
Teknologjitë e bazuara në të dhëna kanë ndryshuar kanalet, taktikat dhe mjetet e ndikimit.
-
Ndërsa debatohet për suksesin e ndikimit të reklamave, grupet politike investojnë kohë dhe para për t’u lidhur me votuesit të dhënat e të cilëve i kanë mbledhur.
-
Merremi shpesh me reklamat në Facebook, por ka edhe kanale të tjera që përdoren për këtë lloj ndikimi.
-
Pyesni pjesëmarrësit nëse janë ballafaquar me reklama të kamufluara (duke përdorur shembuj nga ushtrimet e mëparshme).
-
Përgatituni të ndani informacion për teknologji të tjera dhe jepni shembuj realë që kuptohen.
PërgatitjeDisa mënyra e mjete që mund t’i diskutoni:
-
Telefonata automatike (Robocalls): Shërbime të automatizuara që telefonojnë një listë numrash dhe shpërndajnë një mesazh të paracaktuar ose, në disa raste, edhe kryejnë biseda të drejtpërdrejta. (Burim "Robocalls and Mobile Texting: Automated campaign outreach").
-
SMS: Fushatat përdorin platformat e mesazheve si SMS të personalizuar ose mesazhe masive për të filluar bisedat mes vullnetarëve të fushatës dhe votuesve, si dhe për të administruar sondazhe dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen në votime. (Burim "Robocalls and Mobile Texting: Automated campaign outreach").
-
WhatsApp, Telegram dhe aplikacione të tjera bisedimi: Përdoren për të ndarë informacion mbi ngjarje të ardhshme ose për të inkurajuar njerëzit të shpërndajnë informacion me miqtë.
Ndikimi i shënjestruar i bazuar në të dhëna
Lexo | Shiko | Dëgjo | 10 minuta
Udhëzues:
Përgatitni një prezantim që përfshin pikat e mëposhtme:
-
Ndikimi i bazuar në të dhëna është shpesh më i personalizuar dhe i shënjestruar sesa ndikimi përmes mjeteve tradicionale si gazetat apo afishet.
-
Dallimi mes reklamave të përgjithshme dhe reklamave për një grup individësh të përcaktuar:
- Reklamat e shënjestruara janë një formë e personalizuar reklame duke ditur e parashikuar sjelljen dhe preferencat e tyre.
- Reklamat tradicionale janë më të gjëra dhe shfaqen për një grup më të gjerë dhe të pacaktuar.
- Reklamat e shënjestrura përdorin të dhëna të mbledhura dhe të analizuara për të ndarë votuesit e ardhshëm në grupe më të vogla bazuar në rutinën e tyre të përditshme, personalitetin dhe sjelljen online.
-
Si të dallojmë reklamat e shënjestrura?
-
A kanë vënë re pjesëmarrësit në trajnim ndonjë reklamë të shënjestruar?
- Për shembull: “Çdo mëngjes ndjek mësimet e Yogës në YouTube edhe faqe të tjera me Yoga në rrjetet sociale. Aty vë re edhe reklama për rroba dhe produkte nga marka të cilat nuk ka blerë më parë.”
Pyetje për pjesëmarrësit:
-
“A mund të kujtoni momentin kur një reklamë e shënjestruar ju është dukur (shumë) personale, dhe keni vrarë mendjen se sa informacion kanë platformat e të tjerët për ju?”
- Shënim: Kjo është një pyetje personale dhe jo të gjithë pjesëmarrësit mund të ndihen të lirshëm për të ndarë përgjigjen. Nëse nuk reagojnë, mund të ndani vetë disa shembuj të përgjithshëm.
-
Si dhe sa ndikon një mesazh i përgatitur posaçërisht për një kategori të përcaktuar njerëzish në fushatat politike?
-
Si dhe sa ndikojnë mesazhet e personalizuara politike në formimin e opinionit publik dhe proceset demokratike në krahasim me reklamat e përgjithshme?”
Sa dhe si ndikojnë të dhënat e vendndodhjes tuaj në ndikimin politik?
Krijoni | 20 minuta
[2 minuta] Prezantim i shkurtër
Udhëzues:
Ndani me pjesëmarrësit si më poshtë vijon:
- Reklamat mund të personalizohen bazuar në vendndodhje nëpërmjet një procesi të quajtur "geo-targeting" (shënjestrim gjeografik”.
-
Kjo metodë përfshin përshtatjen e mesazheve në bazë të vendndodhjes së përdoruesit.
- Shembull: Kur lidheni me Wi-Fi në një kafene, mund të shihni reklama me ulje çmimesh pikërisht për atë kafene.
- Ose në politikë: Lagje e rajone të ndryshme mund të shohin reklama politike të ndryshme.
- Gjatë një konference politike si COP20, njerëzit në atë zonë mund të shohin reklama për politikat e mjedisit.
[10 minuta] Ushtrim individual: Analizë e të dhënave të vendndodhjes/qëndrimit
Udhëzues:
- Ndani pjesëmarrësit në grupe prej 3-4 vetash.
- Jepini secilit një fletë letre ose përdorni një tabelë online.
- [5 minuta] Krijoni një listë me vendet që pjesëmarrësit kanë vizituar gjatë asaj jave.
- [5 minuta] Diskutoni se çfarë mund të supozohet po të bazoheni te këto të dhëna vendndodhje.
Sugjerim me shembuj:
- Demografia – Lagjja dhe rajoni mund të tregojë nivelin e të ardhurave.
- Interesat, pasionet dhe hobet – Vendet që vizitoni gjatë javës.
- Vendi i punës – Ku shkoni gjatë ditëve të punës?
[5 minuta] Diskutim pas ushtrimit
- Nëse do të ishit politikanë, çfarë reklamash do të përdornit bazuar në të dhënat e vendndodhjes?
-
Shembuj:
- Reklama në rrjetet sociale për ata që ndodhen pranë një palestre.
- Afishe në rrugët kryesore për komplekse zyrash.
- Reklama në aplikacione në celular për pasionet dhe interesat që keni.
[3 minuta] Prezantim i shkurtër
Udhëzues:
Metodat e gjeo-targetimit përfshijnë:
-
Geofencing – Krijimi i një perimetri virtual rreth një vendndodhjeje për të vënë në shënjestër vetëm individët brenda tij.
-
IP targeting – Përdorimi i adresave IP për të vënë në shënjestër me mesazhe bazuar në vendndodhjen e një pajisjeje.
-
Geo-targetimi në celular – Synimi i reklamave digjitale për telefona specifikë në zona të caktuara.
-
Të dhënat e vendndodhjes janë një mjet i fuqishëm në fushata, veçanërisht kur kombinohen me interpretime të të dhënave.
- Për shembull: Një kod postar mund të sugjerojë një nivel të ardhurash dhe një prirje politike. Nëse kombinohet me supermarketin ku blini shpeshherë, kjo mund të tregojë qëndrimet tuaja mbi çështje të caktuara politike.
Përgatitja: Gjeni dy ose tre shembuj që theksojnë përdorimin e gjeo-targetimit nga grupet politike në kontekstin tuaj. Disa shembuj mund t’i gjeni në këtë artikull: Geo-targeting: Vlera politike e vendndodhjes suaj"..
-
Diskutim:
- Pyesni pjesëmarrësit: "A mund të mendoni për forma të tjera të shenjestrimit që mund të ekzistojnë?”
- Përdorni këtë moment për të treguar çfarë mund të trajtohet në një tjetër seminar , si moduli Të kuptuarit e të dhënave politike si asete dhe si dije - inteligjencë.
5. Reflektim dhe mbyllje (15 minuta)
Qëllimi: Përmbledhje dhe reflektim për mësimet kryesore.
Përmbledhje
Lexo | Shiko | Dëgjo | 5 minuta
Udhëzues për prezantimin:
-
Përmblidhni pikat kryesore të trajnimit në një nivel të përgjithshëm. Disa pika kryesore mund të përfshijnë:
- Si të dhënat bëhen të dobishme në varësi të analizës dhe aplikimit të tyre.
- Teknologjitë digjitale dhe përdorimi i tyre në sistemin aktual mediatik inkurajojnë mbledhjen dhe përdorimin në rritje të të dhënave personale për të informuar komunikimin politik.
- Nga vijnë të dhënat përcakton se kush sheh reklama, ku dhe cilat reklama sheh.
- Kjo nuk është një dukuri e re – teknologjia ka ndikuar gjithmonë në komunikimin politik dhe të dhënat janë mbledhur gjithmonë, edhe para se teknologjia ta lehtësonte këtë proces.
- Shtrirja, shkalla dhe shpejtësia e teknologjisë digjitale kanë rritur sasinë e të dhënave të disponueshme.
- Natyra (e fshehur) e këtyre metodave i bën ato të ndryshme, pasi përdoruesi dhe votuesi shpesh nuk është i vetëdijshëm për mbledhjen dhe ndikimin e të dhënave.
-
Pyesni pjesëmarrësit se çfarë mendojnë për teknologjitë që mundësojnë mbledhjen e të dhënave. A kanë ndonjë dilemë etike dhe a mendojnë që këtu ka një problem?
-
Mund të përfshini këtu edhe:
- Segmentimin dhe profilizimin i rritur – Këto teknologji mund të intensifikojnë ndarjen e elektoratit në segmente, gjë që bie ndesh me privatësinë.
- Dezinformimi dhe lajmet e rreme – Mesazhet e lajmet e paverifikuara mund të përhapen gjerësisht.
- Përdorimi keqdashës – Të dhënat në duart e gabuara mund të përdoren për të dërguar mesazhe kërcënuese, të pavërteta dhe fyese për grupe të caktuara njerëzish.
Mësimet kryesore
Diskutim | 10 minuta
Udhëzues:
-
Bëni pyetjet e mëposhtme për të kuptuar përvojën e pjesëmarrësve në trajnim. Ata mund të reflektojnë me gojë t'i shkruajnë mësimet në një fletë shënimesh /tabelë digjitale. Nëse koha është e kufizuar, jo të gjithë pjesëmarrësit duhet t’u përgjigjen të gjitha pyetjeve.
- Cili ishte mesazhi kryesor që morët nga ky seminar?
- Cila ishte një gjë krejtësisht e re që mësuat nga ky trajnim?
- Cilat nga këto tema ju ngjalli më shumë kureshtje për të mësuar dhe hulumtuar më tej?
- A mundët të identifikoni një temë ose çështje që dukej e rëndësishme për vendin ose distriktin tuaj?
- Si është kuadri ligjor që rregullon të dhënat personale dhe mbrojtjen e privatësisë në vendin tuaj? Çfarë mendoni për ligjet ekzistuese?
- A ka debat rreth përdorimit politik të të dhënave personale në vendin tuaj? A mendoni se votuesit janë të vetëdijshëm për këtë çështje?
Falenderoni pjesëmarrësit për bashkëpunimin, entuziazmin dhe interesin e tyre.
Na kontaktoni
Na kontaktoni te Exposing the Invisible nëse:
- Keni ndonjë pyetje mbi planin e këtij trajnimi dhe udhëzimet.
- Keni përdorur këtë plan trajnimi dhe dëshironi të ndani komente ose sugjerime për përmirësim.
- Keni përshtatur planin e trajnimit për një kontekst specifik dhe dëshironi të ndani rezultatet me ne.
- Dëshironi të sugjeroni ushtrime të reja, këshilla ose shembuj që mund të shtohen në këtë trajnim.
- Dëshironi të ndani ekspertizën tuaj dhe të bashkëpunoni me ne për zhvillimin dhe testimin e seminareve të reja.
Kontakti: eti@tacticaltech.org (GPG Key / fingerprint: BD30 C622 D030 FCF1 38EC C26D DD04 627E 1411 0C02)
Kredite dhe licenca
CC BY-SA 4.0
Ky material botohet si pjese e projektit Exposing the Invisible i Tactical Tech,dhe është i licencuar si Creative Commons Attribution-ShareAlike 4.0 International.
- Ky trajnim është përgatitur nga Amber Macintyre, Cassie Cladis dhe Dharini Priscilla, në kuadër të projektit The Influence Industry Project, Tactical Tech.
- Redaktimi dhe përmbajtja: Christy Lange, Amber Macintyre, Cassie Cladis, Laura Ranca, Jasmine Erkan.
- Dizajni grafik: Exposing the Invisible, Tactical Tech.
- Zhvillimi i faqes së internetit: Laurent Dellere, Saquib Sohail.
- Koordinimi dhe mbikëqyrja e projektit: Christy Lange, Amber Macintyre, Laura Ranca, Wael Eskandar, Jasmine Erkan, Cassie Cladis, Marek Tuszynski, Safa Ghnaim.
Ky program u botua si pjesë e Collaborative and Investigative Journalism Initiative (CIJI) e financuar nga Bashkimi Evropian.
Disclaimer:
Views and opinions expressed are however those of the author(s) only and do not necessarily reflect those of the European Union or the European Education and Culture Executive Agency (EACEA). Neither the European Union nor EACEA can be held responsible for them.